Letra e Judës

DJELMOSHAT JUDEAS NË OBORRIN E NABUKODONOZORIT

DJELMOSHAT JUDEAS NË OBORRIN E NABUKODONOZORIT
1
Në të tretin vit të mbretërimit të Joakimit, mbretit të Judës, erdhi Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, në Jerusalem dhe e rrethoi.
2 Zoti ia la në dorë Joakimin, mbretin e Judës, dhe një pjesë të enëve të Shtëpisë së Hyjit. Ky i mbarti ato në tokën Senaar, në tempullin e hyjnive të veta dhe i vendosi në thesaret e shtëpisë së hyjnive të veta.
3 Mbreti e urdhëroi Asfanazin, kryetarin e oborrtarëve të vet, që t’i sjellë prej bijve të Izraelit, nga dera mbretërore e bujarë
4 disa djelmosha pa të meta, të hijshëm për kah pashia e të pajisur me të gjitha dijet, të mësuar mirë e të edukuar mirë: të tillë që të mund të qëndrojnë në pallatin e mbretit me qëllim që të mësonin shkrimin dhe gjuhën e kaldenjve.
5 Mbreti u caktoi sasinë ushqimore për çdo ditë nga ushqimet e vera që pinte vetë. Do të edukoheshin për tre vjet e pastaj do të kishin për të dalë para mbretit.
6 Ndër ta nga bijtë e Judës ishin: Danieli, Anania, Mizaeli dhe Azaria.
7 Kryetari i oborrtarëve ua ngjiti emrat: Danielit Baltazar, Ananisë Sedrak, Mizaelit Mizak dhe Azarisë Abdenago.
Besnikëria e Danielit ndaj Ligjit
8 Por Danieli vendosi në zemrën e vet të mos përdhoset me ushqime nga tryeza e mbretit as me verë të pijeve të tij dhe me lutje iu drejtua kryetarit të oborrtarëve që të mos ndotej.
9 Zoti bëri që Danieli të gjente hir e mëshirë në sytë e kryetarit të oborrtarëve
10 dhe atëherë kryetari i oborrtarëve i tha Danielit: “E kam frikë zotërinë tim, mbretin, i cili iu caktoi ushqimin dhe pijen e në qoftë se e heton se jeni më të thatë në fytyrë se djelmoshat e tjerë të moshës suaj, atëherë ju do të jeni shkaku i dënimit tim para mbretit.”
11 Por Danieli i tha rojtarit që kryetari i oborrtarëve ua kishte caktuar Danielit, Ananisë, Mizaelit e Azarisë:
12 ”Na vër në provë, po të lutem, ne shërbëtorët e tu, për dhjetë ditë e na jepni për ushqim barishte e për pije ujë,
13 atëherë shiko fytyrat tona e fytyrat e djelmoshave që ushqehen me ushqime të mbretit dhe bëj me shërbëtorët e tu sipas asaj që të kesh parë.”
14 Ai e pranoi këtë kërkesë dhe i vuri në provë për dhjetë ditë.
15 Pas dhjetë ditësh fytyra e tyre ishte më e mirë dhe më e plotë se e të gjithë djelmoshave që ushqeheshin me shujtën mbretërore.
16 Që atë ditë rojtari ua hoqi ushqimet dhe verën për pije të tyre dhe u jepte perime.
Në shërbim të mbretit
17 Këtyre katër djelmoshave Hyji u dhuroi dije e kuptim në çdo shkrim dhe dituri, kurse Danielit i dhuroi edhe dijen e të gjitha vegimeve e të ëndrrave.
18 Si u plotësuan ditët e caktuara prej mbretit, pas të cilave djelmoshat duheshin të nxirreshin para mbretit, kryetari i oborrtarëve i paraqiti para Nabukodonozorit.
19 Pasi mbreti foli me ta, prej të gjithëve nuk u gjetën të tillë si Danieli, Anania, Mizaeli e Azaria: të cilët mbetën në shërbimin e mbretit.
20 Në çdo çështje urtie e dijeje, për të cilat u bëri pyetje, mbreti gjeti se ata ishin dhjetë herë më të aftë se të gjithë magjistarët e astrologët që ishin në mbarë mbretërinë e tij.
21 Danieli qëndroi aty deri në vitin e parë të mbretit Cir.